DEBAT NË UT PËR MENAXHIMIN ME PARKUN KOMBËTAR, NUREDINI: MALI SHARR ZONA MË E MADHE E MBROJTUR NË EVROPË

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini theksoi se qëllimi ynë nuk është të bëjmë një muze natyror, por ta vendosim këtë zonë në një shkallë të caktuar të mbrojtjes dhe njëherësh të mundësojmë zhvillimin e qëndrueshëm të zonës dhe zhvillimin socio-ekonomik të banorëve, andaj parku duhet të funksionojë mbi një themel të fortë bazuar në rregulloret ligjore dhe me dokumente solide planifikuese që do të mbrohen krahas vlerave dhe interesave natyrore të banorëve dhe biznesmenëve. Ndërsa, drejtori i IPPK-së Mali Shar, Ibrahim Dehari informoi publikun për proceset e krijimit të Sistemit të Menaxhimit të Parkut Kombëtar, ndërkohë që theksoi se tani është koha e duhur për të bërë pyetje dhe për të ndarë komentet dhe sugjerimet, qoftë në debatin publik ose gjatë dy javëve të ardhshme në formë të shkruar, me qëllim që të njëjtat të rishikohen dhe, nëse mbështeten, të futen në dokumentacionin e planifikimit.

 

Institucioni publik Parku Kombëtar Mali Sharr dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, sot në Universitetin e Tetovës zhvilluan debat publik lidhur me Draft-Planin e Menaxhimit të Parkut Kombëtar Mali Sharr për periudhën 2022-2031 dhe për Draft-Raportin për Vlerësimin Strategjik Mjedisor për Draft-Planin e Menaxhimit të Parkut Kombëtar Mali Sharr për periudhën 2022-2031.

Drejtori i Institucionit publik Parku Kombëtar Mali Sharr, Ibrahim Dehari fillimisht u ndal tek aktivitetet më të diskutuara me opinionin, duke filluar nga ndërtimet në park, po që parashikohen të jenë jashtë vendbanimeve apo jashtë fshatrave.

“Rreth kësaj çështje është biseduar me të gjitha komunat të cilat përfshihen në Parkun Kombëtar, ku do të bëjmë inventarizimin e të gjitha ndërtimeve, dhe më pas do të veprohet sipas rregullave ligjore. Brenda PK Mali Sharr kemi hidrocentrale funksionale dhe me leje, mirëpo nga të njëjtat do të kërkohet respektimi i minimumit biologjik rreth çështjes së ujërave, këtu përfshirë edhe Ujërat e Sharrit (kanali që grumbullon ujërat për në Mavrovë), ku do duhet gjithashtu të respektojnë minimumin biologjik.

Kemi kategorinë e hidrocentraleve që janë në procedurë për marrjen e lejeve dhe kategorinë ku ka kërkesa të reja, ku mund të potencojmë se ato që janë aktive do të vazhdojnë normal me respektim të rregullave, ndërsa të reja nuk do të ketë”, tha drejtori i Institucionit publik Parku Kombëtar Mali Sharr, Ibrahim Dehari.

Ai, po ashtu foli edhe mbi çështjen e aktiviteteve ilegale, me theks të veçantë të mundësive për mbrojtjen dhe zhvillimin e Parkut Kombëtar përmes këtij plani të menaxhimit. “Si aktivitete më të diskutuara konsiderohen: Nevoja për masën drunore dhe prerjet ilegale; Gjuetia për botën e egër; Vjelja, grumbullimi i bimëve dhe frutave të malit; Blegtoria dhe mundësitë zhvillimore të sajë; Biodiversiteti – ruajtja dhe zhvillimi i tij; Erozioni dhe mundësit për parandalim; Zhvillimi i turizmit masiv; Zhvillimi i turizmit alternativ dhe Agrikultura si mundësi zhvillimore”, u shpreh drejtori i Institucionit publik Parku Kombëtar Mali Sharr, Ibrahim Dehari.

Në lidhje me vjeljen e bimëve dhe frutave, ai tha se Parku do të sigurojë kompani për grumbullim e të njëjtave me qëllim të sigurimit të tregut. “Njëkohësisht, Parku parasheh që të certifikojë dhe brendojë produktet që dalin nga Zonat e Parkut. Sa i përket gjuetisë, në Parkun Kombëtar gjuetia do jetë e ndaluar përveç gjuetisë sanitare edhe atë me leje të caktuara. Ndërsa për nevojat e masës drunore dhe prerjen e sajë do të veprohet sipas planeve që do përgatisin ekspertët e fushës përkatëse. Pagesa, apo tarifa do të jetë nga 40%-50% më e lirë se më herët, por do të jetë e ndaluar për prerje industriale/komerciale, dhe do të lejohet për nevojat e banorëve rezident dhe do mund të shfrytëzojnë të gjithë banorët jorezidentë, por që kanë prona të tyre brenda Parkut Kombëtar. Gjithashtu do jenë prezente edhe prerjet sanitare.

Sa u takon Mbeturinave apo deponive të egra në PK Mali Sharr, potencojmë se tanimë deponitë e mëdha brenda PKMSH janë pastruar nga Ministria e Mjedisit, pas këtij pastrimi kemi marrë hapat e nevojshëm dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me komunat që përfshihen ne Parkun Kombëtar, në vënien e një sistemi për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave për vendet ku deri më tani nuk ka pasur grumbullim dhe menaxhim të rregullt të mbeturinave”, nënvizoi drejtori i Institucionit publik Parku Kombëtar Mali Sharr, Ibrahim Dehari.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, i cili tha se sot është shumë e rëndësishme të bisedohet me qytetarët dhe palët përkatëse për menaxhimin e parkut kombëtar. “Ne nuk dëshirojmë të krijojmë një muze, por një ekonomi të re, të qëndrueshme në zonën e parkut kombëtar. Ideja e Parkut Kombëtar është që të rregullohet menaxhimi i pyjeve dhe aktiviteteve të ndryshme në Parkun Kombëtar. Derisa të kalojë plani për menaxhimin e Malit Sharr, pastaj do të kemi plan për mirëmbajtjen e pyjeve në Parkun Kombëtar. Në këtë debat të sotëm do të kemi qytetarë, aktivitete të ekonomisë ku do bisedojmë dhe debatojmë për zgjedhjen dhe menaxhimin e ardhshëm”, u shpreh mes tjerash Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

Këtë ngjarje me prezencën e saj e nderoi edhe Zëvendësministrja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës, Linda Çavdarbasha, e cila tha se është goxha sfiduese të menaxhosh një sipërfaqe kaq të madhe dhe u ndal tek projektet e përbashkëta që mund t’i realizojnë për ruajtjen dhe zhvillimin e Parkut Nacional.

“Prej prezantimit të drejtorit e kuptova që ju vetëm për një vjet keni filluar të keni projekte shumë të mira në mbrojtjen e mjedisit. Është shumë e rëndësishme që të fokusohet e gjithë vëmendja për ta mbrojtur Malin Sharr. Së bashku dhe me bashkëpunim ndërkufitar të zhvillojmë projekte të ndryshme.

Njëri ndër projektet që edhe ne si ministri do ta fillojmë së shpejti, e që është i financuar nga Global Conversation me bashkëfinancim nga ministritë tona, që është shumë e rëndësishme sidomos për monitorimin e Parkut Kombëtar Mali Sharr, nga ndërtimet ilegale që ndodhin brenda saj.

Ne jemi në një fazë që bashkërisht me ministrinë e tuaj që të zhvillojmë projekte të tjera, përfshirë këtu edhe platformën për monitorimin e shtazëve të egra, platformë kjo që do të përfshijë të gjitha malet Dinarike, ku edhe ju jeni pjesë aty edhe besoj që kjo platformë do të kontribuojë në konservimin e ruajtjen e shtazëve të egra, duke pasur parasysh se shtazët nuk kanë kufij, pavarësisht çdo gjëje ata mund të kalojnë nga Kosova në Maqedoni, Shqipëri e në të gjithë rajoni”, tha Zëvendësministrja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës, Linda Çavdarbasha.

Read More

Related Articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here